-Çerçiz Topulli u vra pas krahëve, jeta e tij është unike
-Në shtëpinë e familjes tonë në Gjirokastër kishte një “rrasë varri”, ku fshihej Çerçizi
-Gruaja e Bajo Topullit vdiq e vetmuar në Tiranë, pa përkrahje
-Emri im ishte një amanet i vëllait dëshmor, rënë në Tendën e Qypit
-Enver Hoxha se shpalli “Hero” vëllanë tim, pasi tha familja Topulli ka dy heronj
-Vëllai im u vra në tendën e Qypit, eshtrat ju gjetën në vitin 1984
-Babai im s’u vlerësua kurrë, i vinin për vizitë vetëm në 5 Maj
-Në vitin 2012 çuam në shtëpinë e Kongresit në Manastir pllakatin e thyer
Box
Çerçiz Topulli u lind në Gjirokastër në vitin 1880 dhe ra dëshmor më 15 korrik të vitit 1915, ishte shkrimtar, atdhetar e veprimtar i shquar i Rilindjes, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave kundër sunduesve osmanë për çlirimin kombëtar të vendit, “Hero i Popullit”. Në prill të 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë në fillim të marsit 1908 në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë. Drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars 1908. Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë” drejtuar bashkatdhetarëve të tij dhe botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë” Çerçiz Topulli pasi dënonte grabitjet e administratës osmane kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e lirë dhe e pavarur. Ai shprehte bindjen se e vetmja rrugë për çlirimin e Shqipërisë ishte ajo e kryengritjes së përgjithshme të armatosur dhe ftonte gjithë shqiptarët të ngriheshin me armë në dorë në luftën për lirinë e Shqipërisë. Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 u vu në shërbim të qeverisë së I. Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, në disa kryengritje të armatosura, për sprapsjen e grekëve nga tokat e pushtuara në jug (pas konferencës së Londrës), por edhe kundër rebelimit të Haxhi Qamilit në Shqipërinë e Mesme.
Box 2
Bajo Topulli
Qysh 11 vjeç Bajo niset për të studiuar në Stamboll, ku brumoset me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe Jani Vretos. Sipas këshillave të tyre ai hidhet në Selanik, ku fillon një aktivitet të gjerë si propagandues i gjuhës shqipe, edhe pse nuk ishte e thjeshtë, duke qenë se ndodhej mes dy zjarresh, atij turk e atij grek. Më pas, në vjeshtën e vitit 1904, Bajon do ta shohim në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër. Gjatë qëndrimit të Bajos në Manastir solli ngritjen e “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhi rreth vetes patriotë shqiptarë. Disa muaj më pas do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”. Pas aktivitetit në Jug të Shqipërisë dhe vrasjes së Dhespotit të Korçës, për të larë gjakun e Papa Kristo Negovanit, Bajo Topulli e pati shumë të vështirë qëndrimin në Shqipëri, ndaj dhe në fund të nëntorit, Bajo i shoqëruar nga Çerçizi dhe Zeman Haskua udhëtojnë drejt Sofjes, ku e priti një grup shqiptarësh me në krye Shahin Kolonjën. Aty gjejnë një situatë po aq të ndezur patriotike, në Sofje e Bukuresht u njohën me figura të njohura, mes të cilëve dhe Mihal Gramenon (kronikanin e betejave). Ai ndikoi në formimin dhe idetë e veprimtarit Çerçiz Topulli deri në fund. Bajo ndërmerr një udhëtim të gjatë në kryeqendra të Europës dhe në Amerikë (ku u shoqërua nga Fan Noli), për të gjetur mbështetje për çështjen shqiptare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At’ Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj.. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me germa latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe. Të dhënat janë të pakta për aktivitetin e Bajo Topullit pas shpalljes së Pavarësisë. Mësohet se për 15 vjet jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Thuhet se shërbeu si vali e prefekt. Në vitin 1925 ai kthehet në Gjirokastër. Gjirokastritët shënuan kandidaturën e tij si kryetar bashkie, edhe pse Bajo, tashmë i sëmurë nuk e dëshironte një gjë të tillë. Megjithë fushatën e shkurtër, Bajo Topulli zgjidhet kryetar Bashkie, të cilën e drejtoi për tri vjet. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash. E nisi që me pritjen e popullit në zyrat e bashkisë, pastërtia e qytetit, tregjeve, kontrolli ushqimor, ndriçimi, marrja nën kontroll e rendit publik, përkrahja e familjeve të varfra, caktimi i ndihmave sociale, ngritja e shkollave, regjistrimi i të gjitha fëmijëve, heqja e ferexheve tek gratë, shpallja zyrtarisht e së dielës ditë pushimi, etj.. Gjithashtu, ai u bë nismëtar i ngritjes të së parës shoqëri aksionere tregtare në Shqipëri, e cila u quajt “Dele”, me sekretar të riun Hasan Dosti. I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në shtëpinë e të vëllait në Sarandë.
INTERVISTA/ Flet e mbesa e Çerçiz dhe Bajo Topullit, Lumturi Topulli
Albert ZHOLI
Rrjedh nga familja më patriotike shqiptare ajo Topulli e Gjirokastrës, që ka nxjerrë nga gjiri dy rilindës, dy heronj me përmasa të veçanta Çerçiz Topulli dhe Bajo Topulli. Ajo krenohet për prejardhjen e saj, por akoma më shumë ndihet e gëzuar, kur këto figura respektohen dhe sot. Jeta e familjes së saj me vendosjen e regjimit komunist dhe pse rridhte nga një familje e pasur, e ditur, plot tradita, u la në harresë, madje gruaja e Bajo Topullit, Merushja një grua turke u la në harresë të plotë duke vdekur në vetmi. Vëllait të saj Agos nuk ju dha titulli Hero pasi Enver Hoxha pati thënë se boll i ka dy heronj familja Topulli. Një ndër ditët më të bukura të saj në vitet e demokracisë ishte kur me Shoqatën e Trashëgimtarëve të Rilindësve shkuan në ndërtesën e Manastirit nën drejtimin e poetit dhe përkthyesit Perikli Jorgoni dhe vendosën pllakatin përkujtimore në këtë ndërtesë, e cila kishte vite që ishte thyer.
Zj. Lumturi, mund të na thoni lidhjen tuaj me emrat e mëdhenj të rilindësve Çerçiz dhe Bajo Topulli?
Babai im Haliti i ka pasur vëllezër Çerçiz dhe Bajo Topullin Babai im ka qenë fëmija i vogël i trembëdhjetë fëmijëve të gjyshit tim. Pra ka qenë fëmija i vogël. Gjyshi im quhej Ago Topulli, emër të cilin më vonë do ta merrte vëllai im. Pra babai im ngjalli emrin e babait të vet Agos, duke ja vënë emrin e tij, djalit të tij, pra vëllait tim që s’e njoha kurrë.
Ku ka jetuar babai juaj?
Babai im Haliti, pjesën më të madhe ka jetuar në Gjirokastër, ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe më vonë mbaroi dhe një Fakultet për Agronomi. Ishte shumë i ditur dhe në shtëpi kishte një bibliotekë shumë të pasur. Pas shkollës babai ka punuar në disa vende jashtë Shqipërisë dhe më vonë erdhi në Gjirokastër, ku krijoi dhe familje. Ishte një njeri i ditur, krenar, bujar, fjalëpakë, por që i zinte fjala vend.
Mund të na e përcillni pak variantin tuaj të vrasjes së Çerçiz Topullit?
Për këtë vrasje është folur dhe do të flitet shumë. Unë kam dëgjuar shumë, por gjithmonë më i besueshëm për mua ka qenë fjala e babait tim. Ai fliste bindshëm dhe pa pasione. Sa herë e pyesja përgjigja ka qenë e njëjtë. Pra tashmë mund të them me bindje se të gjitha variantet konvergojnë në një pikë. Çerçizin e kanë vrarë malazestë dhe serbët në vitin 1915. Në shtator të vitit 1914 Çerçiz Topullin e Muço Qullin ishin në Shkodër, ku mendohet të kenë shkuar për t’ju bashkuar mbrojtjes së trojeve nga pushtimi serbo-malazez. Arrestohen për të parën herë në 28 qershor dhe lirohen shumë shpejt. Por arrestohen sërish në 7 korrik 1915 në Fushën e Shtoit (Shkodër) nga një togë malazeze rrugës për në Çetinë Ai ishte së bashku me trimin dhe patriotin Muço Qulli. Ishte koha kur Mali i Zi pushtoi Shkodrën dhe patriotët tanë i thirrën gjoja për bisedime. Kur u afrua pranë Shtojit për të bërë gjasme bisedime, forcat serbo-malazeze e zunë në befasi, e lidhën me zinxhirë dhe e kanë vrarë pabesisht nga pas ashtu të lidhur. Aq frikë e kishin të pabesët saqë edhe zinxhirët i kishin të trashë, sepse i tillë ishte nami i tij, e tillë ishte vepra e tij. Ai si kishte mbushur ende 35 vjeç. Ishte në kulmin e trimërisë, bukurisë, të punës dhe të veprës.
Çfarë kujtimesh ju ka lënë babai juaj Haliti, për vëllanë trim Çerçiz Topullin?
Babi më fliste për të, por kujtimet më vijnë të largëta. Duhet të them se në kohën e luftës së rilindësve shtëpia jonë u rrëzua disi dhe më vonë në kohën e komunizmit u restaurua kur u shpall shtëpi muze. Por kishte një veçori, ajo shtëpi. Kishte mure shumë të trashë prej guri. Në një dhomë ishte “varri i bardhë”i Çerçizit më thoshte im atë. Pra brenda shtëpisë ishte një mur i brendshëm që hapej dhe pasi futeshe brenda mbyllej si rrasë varri. Aty futej Çerçizi kur vinin turqit për ta arrestuar. Sa e sa herë futej aty Çerçizi dhe njerëzit e tjerë të familjes rrinin në gjemba. Kjo është pjesa më e spikatur e shtëpisë që rrallë mund te ketë të dytë.
Po për Bajo Topullin?
Xhaxha Bajua ishte njeri më intelektual, ishte njeri i ditur dhe shumë i dalë. Xhaxhai ka qenë Nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Ai ka lëvizur në shumë vende për të dhënë mësim. Shkolla, ku xhaxhai ka qenë nëndrejtor është ngjitur me ndërtesën ku është mbajtur Kongresi i Manastirit. Pra, në vjeshtën e vitit 1904, Bajo Topulli ishte në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore xhaxhai, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër. Gjatë qëndrimit të Bajos në Manastir solli ngritjen e “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhi rreth vetes patriotë shqiptarë. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje, ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At’ Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj.. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me germa latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe. Kur isha në vitin 2011 dhe 2012 në Manastir kam vendosur dhe një tufë me lule në këtë godinë. Madje mund të them se dhe çetën e Çeçizit e ngriti dhe e organizoi xhaxha Bajo.
Ku ka vdekur Bajo Topulli?
Xhaxha Bajo ka vdekur në Sarandë 24 korrik të vitit 1930, në shtëpinë e të vëllait me tumor në fyt, kur ishte 50 vjeç. Aty edhe sot është një shtëpi muze. Pra xhaxha Bajo ka vdekur më vonë pasi u vra xhaxha Çerçizi. Ai vdiq i vetmuar, pasi kishte marrë një grua turke dhe nuk kishte bërë fëmijë. Merushe e quanin gruan e xhaxha Bajos, e cila jetoi dhe në regjimin e Enverit dhe u la në hije, në harresë, pa asnjë përkrahje. Unë e kam arritur atë, pasi pas Sarandës ajo erdhi dhe jetoi në Tiranë tek “Rruga e Dibrës”. Më vonë Merushja adoptoi një djalë të cilin e internuan dhe e burgosën për agjitacion dhe propagandë, ku ajo u detyrua të punonte në punë krahu deri sa vdiq. Pra gruaja e “Heroit të Popullit” vdiq e tillë në vetmi, sikur të ishte armikja më e madhe e Shqipërisë. Ajo vinte tek shtëpia jonë, mbasi ne, në vitin 1948 erdhëm në Tiranë nga Gjirokastra kur unë isha 2 vjeç (kam lindur në vitin 1946).
Po babai juaj kur ka vdekur?
Në vitin 1965. Ai pas çlirimit nuk ka punuar më, pasi ishte i moshuar, por kishte një pension të vogël.
A u vlerësua babai gjatë regjimit komunist?
Si gjithë të tjerët. Gjithë ajo familje e madhe, familje me pasuri, me dituri, familje nga më patriotet në Shqipëri, në komunizëm e humbi atë rëndësinë e saj. Emri i saj u shumua. Babain e thërrisnin ndonjëherë për Festën e Flamurit në Vlorë dhe i kishin dhënë dhe një pension suplementar për të birin Agon që kishte rënë në luftë.
Ju kishit vëlla partizan?
Posi jo. Vëllai im Ago Topulli ishte 18 vjeç kur u vra. Unë s’kisha lindur ende. Ai dinte tre gjuhë të huaja, ishte një ndër djemtë më të zgjuar të fisit tonë të madh dhe arsimdashës. Ishte gjimnazist në Gjirokastër. Që kur ishte gjallë i thoshte nënës se donte një motër. Ai gjithmonë kur fliste dëshironte që gjithë njerëzit të ishin të lumtur. Fjala lumturi ishte për të më e bukura. Madje, nënës i thoshte që motra ta kishte emrin Lumturi. Nëna ime një vit para se të më lindte mua dështoi një fëmijë. Pastaj. Një vit më vonë erdha unë në jetë. Për këtë arsye, në emër të dashurisë për të birin dhe fjalës së tij të preferuar Lumturi, nëna ma vuri emrin Lumturi. Ndjehem e emocionuar kur e përmend këtë fakt të emrit tim. Ago ishte emri i gjyshit tim nga babai. Pra babai i Çerçizit dhe Bajo Topullit dhe babait tim quhej Ago, ndaj dhe babai im ja vuri këtë emër që të ngjallte emrin e babait.
Kur u vra vëllai juaj Agoja?
U vra në vitin 1943 në Tendën e Qypit. Për atë luftë ka shumë këngë dhe shkrime apo kujtime të partizanëve. Ajo është një nga luftërat më të përgjakshme me gjermanët. Por eshtrat e vëllait tim ja kanë gjetur shumë vonë. Pikërisht në vitin 1984 janë gjetur këto eshtra. Mbas një viti vdiq dhe nëna ime. Pra atë se merrte vdekja pa marrë dhe pa parë eshtrat e djalit. Gjetëm një shokun e vëllait që e kishte varrosur Agon në tendën e Qypit ndërmjet Beratit dhe Këlcyrës dhe e gjetën. Bashkë me ish -partizanin shkuan dhe dy vëllezërit e mi. Në vitin 1984 eshtrat i çuan në Gjirokastër, ku ndodhen dhe sot në Varrezat e Dëshmorëve.
Por tashmë dihet përse dhe si u vra vëllai juaj Ago Topulli, atëherë përse nuk u bë “Hero i Popullit”, Agoja?
Ishin bërë disa kërkesa nga Komiteti Veteranëve të Gjirokastrës që ai të shpallej “Hero”, por Enver Hoxha ishte përgjigjur se boll i ka dy heronj fisi i Çerçizit. Kaq u desh që emri i tij të mos futej më në listën e heronjve.
Kur dhe si është vrarë Çerçiz Topulli?
Në shtator të vitit 1914, Çerçiz Topullin e Muço Qullin ishin në Shkodër, ku mendohet të kenë shkuar për t’ju bashkuar mbrojtjes së trojeve nga pushtimi serbo-malazez. Arrestohen për të parën herë në 28 qershor dhe lirohen shumë shpejt. Por arrestohen sërish në 7 korrik 1915 në Fushën e Shtoit (Shkodër) nga një togë malazeze rrugës për në Çetinë
Kur janë kthyer eshtrat e Çerçizit nga Shtoji i Shkodrës?
Për 20 vjet eshtrat e dy heronjve mbetën pa varr, në Shtoj të Shkodrës, deri sa u zbuluan në vitin 1936 nga Javer Hrushidi, mik fëminie me Çerçizin dhe prefekt i Shkodrës asokohe. Ishte pikërisht ai që identifikoi dhe eshtrat e Çerçizit nga një dhemb floriri, që e kishin të dy të njëjtë. Në zhvarrimin dhe rivarrimin e eshtrave të tyre mori pjesë edhe Enver Hoxha, i cili mbajti edhe një fjalë lamtumire në emër të gjirokastritëve. Në biografinë e tij, ky fakt përmendej me germa të arta, por sa rrojti Enveri asnjëherë s’u dha vendin që u takonte këtyre vëllezërve që për atdhe falën pasuri, katandi madje dhe jetën.
Ku janë këto shtëpi?
A janë shtëpitë tuaja sot në Gjirokastër?
Po janë, por një pjesë i kanë zënë nipërit dhe mbesat dhe një pjesë janë ende muze. Janë disi të mirëmbajtura.
Sot a vlerësohen këto figura apo trashëgimtarët e figurave të patriotëve?
Ne para disa kohësh ishim në Manastir me Shoqatën e Trashëgimtarëve të Figurave të Rilindësve historikë që kishin marrë pjesë në Kongresin e Manastirit, pra në vitin 2011 me rastin e100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Këtë takim e organizoi Lida Jorgoni së bashku me Perikli Jorgonin. Shkuam sërishmi në vitin 2012 sepse çuam një pllakë përkujtimore të Kongresit të Manastirit, pasi pllaka ekzistuese ishte thyer. Këtë pllakë e bëri Perikli Jorgoni. Mund të them se Marin Mema ka bërë një dokumentar të mirë për xhaxhallarët e mi. Pra, fisi im tani po trajtohet si duhet.