Intervistoi: Bahtir Latifi, Suedi

Bahtir Latifi
“Edhe pse jam larguar në një moshë shumë të re, gjithmonë kam ruajtur lidhjet me Shqipërinë sepse është vendi im. Synoj që me suksesin tim të nderoj kombin dhe të tregoj vlerat e larta të shqiptarëve në Amerikë“,kështu shprehet talenti shqiptarë 20 vjeqar I cili synon majet e Hollivudit .”
Kush është Orges Bakalli , na flisni pak për veten tuaj dhe veprimtarinë tuaj?
Orges Bakalli:Unë jam regjizor dhe skenarist. Kam studiuar për produksion filmi dhe aktrim në New York. Që kur kam qenë adoleshent lexoja shumë novela, libra dhe më pëlqente të shikoja filma. Vendosa t`a marr si profesion dhe të merrem seriozisht me prodhimin e filmave. Deri tani kam patur sukses në punën time falë përkrahjes nga familja, përkushtimit tim, kolegëve të mi dhe kompanisë filmike ”Reel Works”, fitues të çmimit prestigjioz Emmy Awards, me të cilët bashkëpunoj.
Kur u larguat nga Shqiperia për herë të parë dhe cila ishte arsyeja e largimit nga vendlindja e juaj?
Orges Bakalli: Unë kam qenë shumë i vogël, në moshën 8 vjeçare kur u largova për arsye se familja ishte e persekutuar nga komunizmi. U vendosëm në New York, Amerikë ku ka një komunitet të madh shqiptar. Edhe pse erdha në moshë shumë të vogël në Amerikë, prindërit më kanë mësuar gjuhën shqipen dhe u kujdesën po ashtu që t`a ruajm traditen tone shqiptare. Në shtëpinë tonë festohen ,si festat shqiptare edhe ato amerikane.
Keni ndonjë kujtim të mirë nga femijëria e juaj, qfar fëmije keni qenë. Qoftë nga shkolla si fëmij në familje apo edhe në lagjen ku jeni rritur ?
Orges Bakalli: Kujtimi më i bukur prej fëmijërisë time është kur kam luajtur në oborrin e shtëpisë time në Shkodër. Më kujtohet shumë mirë edhe sot vendi si ka qenë dhe e kam patur shumë qejf. Më ka marrë malli shumë për lagjen e vjetër.
Krenohem me prejardhjen time shqiptare, sidomos për Shkodrën që ka nxjerrë ikonat legjendare si: Tinka Kurti, Ndoc Deda dhe figura të tjera të shquara nga Teatri Migjeni. Kemi një kulturë të lashtë si popull dhe në aspektin kulturor të teatrit dhe kinematografisë kemi qenë nga një të parët në Europë si në talent dhe zhvillim artistik-kulturor.

Director Orges Bakalli on the set of “Made in Amerika”, New York 2013
Pas kësaj kohe, ju u shkolluat u rritët dhe tani jetoni në New York, ku keni sukseset e jetës suaj. Pas shkollimit tuaj dhe një kohë aty ku jetoni keni filluar punën si një regjizor. Si erdhi kjo ide, kishit talent si fëmijë apo erdhi më pas?
Orges Bakalli: Ideja për t’u bërë regjizor më ka ardhur kur isha në gjimnaz. Më pëlqen shumë të shikoj filma dhe më erdhi ideja që të provoj të bëj vetë filma. Kam shumë ide për sa i përket krijimit të skenarit, si të zhvillohet një histori, si t’i paraqitet publikut dhe krijoj konceptin për të arritur vizionin që kam. Skenarin e filmave i shkruaj vetë, gjithashtu jam producent dhe regjizor.
Si arritët të bashkëpunoni më Reel Works, një kompani filmike e shquar mes yjeve të Hollivudit dhe fituese e çmimit Emmy Awards?
Orges Bakalli: Në New York mu dha mundësia të bashkëpunoj me Reel Works, një kompani filmike shumë e famshme për Yjet e Hollivudit. I jam shumë mirënjohës themeluesve të kompanisë, John Williams dhe Stephanie Walter, të cilët kanë zhvilluar programe të posaçme për të ndihmuar regjizor të rinj dhe më kanë përkrahur jashtë mase. Kam filluar të punoj me këtë kompani që në 2011 të cilët më kanë lidhur me komunitetin artistit të Hollivudit. Kam patur rastin të takohem me personalitete të famshme të kinematografisë amerikane si Fisher Stevens (fitues i Academy Awards), Richard Linklater (regjizor i filmit ‘Dazed and Confused’), Emily Mortimer (fituese Aktorja më e Mirë) , Jeffrey Wright (fitues i Golden Globes), etj.
Kemi ndëgjuar se jeni një nga regjizorët më të rinj të Hollivudit dhe New Yorkut, vetëm 20 vjeç që jeni vlerësuar dhe patur sukses. Si e arritët suksesin?
Orges Bakalli: Të prekësh Hollivudin është një ëndërr e madhe për mua. Me filmat e mi dua të prezantoj histori, ngjarje, realitete që janë ngacmuese dhe të bëjnë të mendohesh. Deri tani kam prekur tema për lirinë, të rinjtë, emigraconin dhe në të ardhme kam shumë dëshirë të prodhoj filma me tema për romancë dhe luftë.
-Dokumentarin e parë që kam prodhuar me prodhim të kompanisë Reel Works ”Liri”, e zhvillova në 2011 nisur nga përvoja e xhaxhait tim (Gazmend Bakalli) gjatë komunizmit. Ai është një piktor i njohur dhe rrëfen për sfidat e një artisti në atë kohë dhe si ka jetuar jetën, duke patur parasysh kushtet, vështirësitë, dhe të drejtat e mohuara. Dokumentari Liri u vlerësua shumë nga kryebashkiaku i New Yorkut Michael Bloomberg, me të cilin u takova në vitin 2011. Ishte një moment i paharruar për mua të vlerësohem nga një figurë kaq e lartë e New Yorkut si M. Bloomberg, që shfaqi interesim në punën time. Kam patur një përkrahje të madhe nga zyra e kryebashkiakut e teatrit dhe filmit dhe i falenderoj shumë për këtë. Dokumentari u shfaq në kanalin NYC Life 25 në New York.
Kur filluat punën si regjizor. A keni luajtur më herët ndonjë rol si aktor në ndonjë film apo keni filluar qysh pas shkollës menjëherë si regjizor në dokumentaret që ju keni realizuar deri më tani?
Orges Bakalli: Kam filluar punën në fillim si regjizor meqë kam studiuar për produksion filmi. Më pas kam filluar të studioj edhe për aktrim për ta kuptuar më shumë botën e artit atë të aktorit që të marr më shumë njohuri si regjizor dhe të kuptoj më mirë emocionet e duhura kur të shkruaj skenare dhe të prodhoj filma. Më pëlqejnë shumë të dy fushat.
Tani kemi informata se ju synoni kinemotografin, si lindi ky interes?
Orges Bakalli: Ka qenë ëndrra ime gjithmonë të jem regjizor. Mbasi mora eksperiencë të bëj dy dokumentare, kam provuar vetë të bëj filma dhe të shkruaj skenarin vetë. Tani po shkruaj dhe skenarin e një filmi me metrazh të gjatë që kam shumë qejf ta prodhoj së shpejti. Jam shumë i gëzuar që puna dhe mundimi im deri tani ka patur një vlerësim shumë të mirë dhe kjo më shtyn më tepër në rrugën e kinematografisë. I jam mirënjohës kolegëve shqiptar dhe amerikan në New York që më kanë përkrahur të realizoj ëndrrën time.
Urojmë të keni sukses të madh në Kinemaotografi. Po filmi ”Made in Amerika ”, qka do të na thuash rreth këti filmi? Kur keni filluar dhe qka bëhet fjalë ?
Orges Bakalli: Në shkurt 2013 fillova të shkruaj skenarin e filmit ’Made in Amerika’. Filmi është me metrazh të shkurtër dhe ka si aktorë kryesorë: Emira Berisha, Artan Telqiu, Roland Uruci dhe Alexander Richard. Made in Amerika tregon historinë e një çifti shqiptar të cilët emigruan në Amerikë. Filmi shfaq vështirësitë që ndeshin ata në një vend të ri dhe të papriturat që kalojnë në një vend të huaj.
Na i përmend disa nga aktorët që do të marrin pjesë në këtë film, rrjedhën e punës me ta gjatë gjirimit të filmit?
Orges Bakalli: Pata fatin të bashkëpunoj me një nga figurat e respektuara në New York, Roland Uruci i cili luan një nga rolet në film dhe është producent eksekutiv i filmit “Made in Amerika“. Kam mësuar shumë nga z. Roland dhe i jam shumë mirënjohës për gadishmërinë e tij, përkrahjen e jashtëzakonshme dhe talentin që ka sjellur në film.
Dy personazhet kryesore që luajnë rolin e çiftit janë Emira Berisha dhe Artan Telqiu. Emira Beisha ka intereprtuar rolin e saj shumë bukur, ashtu siç e kisha paramenduar unë. Ajo paraqet një femër të fortë, dhe mbështet bashkëshortin e saj në momement më të vështira që ato hasin të dy në emigrim. Mendoj se Emira meriton titullin si një nga talentet e reja më të mira për rolin e saj në këtë film.
Aktori Artan Telqiu të bën përvete menjëherë si aktor dhe person. Ka shumë përvojë dhe ka patur sukses në këtë fushë. Projektet e tij jane shfaqur në National Geographic, Animal Planet dhe sjell në rolin e protagonistit një interpretim të paharruar.
Të gjithë aktorët e filmit “Made in Amerika“. janë shumë të talentuar dhe kanë sjell një personalitet të veçantë. Kam patur një bashkëpunim shumë të mirë me producentin Joseph di Mattia dhe kompanië Reel Works.

Producenti Joseph di Mattia, Artan Telqiu dhe regjizori Orges Bakalli
Planet e juaja për filmin. A do të merrni pjesë në ndonjë festival qoftë Shqipëri apo edhe Kosovë ?
Orges Bakalli: Po, tani po përgaditemi ta shfaqim filmin në festivale në Amerikë, Kosovë, etj. Mezi pres që publiku shqiptar dhe ai amerikan ta shikojë.
Jam jashtëzakonisht i kënaqur më filmin “Made in Amerika“. Sapo patëm shfaqjen e parë private të filmit me datën 11 tetor 2013 mes kritikëve dhe regjizorëve të tjerë në New York dhe filmi u mirëprit shumë mirë. Besoj se filmi ka për të patur shumë sukses. Edhe pse nuk kam treguar trailer ose shfaqje për publikun kemi patur intersim nga Hollivudi për ta shfaqur në festivalin e filmit në Los Angeles.
Jeni një Shqiptarë që tashmë i njohur me suksese si regjisor deri më tani.N`djenjat e juaja për këtë sukses ¨jashtë vendit tëndë ?
Orges Bakalli: Edhe pse jam larguar në një moshë shumë të re, gjithmonë kam ruajtur lidhjet me Shqipërinë sepse është vendi im. Synoj që me suksesin tim të nderoj kombin dhe të tregoj vlerat e larta të shqiptarëve në Amerikë.
Ju falemnderit sinqerisht për kohën që ndat me mua dhe për lexuesit shqiptarë anë e këndë botës.Shëndet dhe Suksesepër ju. Faleminderit shume për këtë mundësi.
Orges Bakalli: Faleminderit shumë për intervistën. Përshëndes komunitetin shqiptar në Suedi me këtë rast dhe punën e mirë të revistës “Dituria“. Për datat e shfaqjes mund të vizitoni www.facebook.com/MadeInAmerika dhe www.bakallifilms.com .