Quantcast
Channel: Prishtina Press - Prishtinë - New York - London » Intervista
Viewing all articles
Browse latest Browse all 75

Intervistë me publicisten dhe poeten e mirënjohur shqiptaro-amerikane Keze Kozeta Zylo

$
0
0
Kozeta Zylo
Bisedoi Novruz Xh. Shehu
Ju jeni nga Mezhgorani i Tepelenës.  Mesa dimë rridhni nga një familje patriotike Gjoni, pjesë e fshatit me tipare të dallueshme në kulturën kombëtare.  Fehmi Bej Mezhgorani, Sami Mezhgorani, Dr.Përparim Tepelena, Prof.Sejfulla Malëshova me nënë nga Mezhgorani, një grup i tërë mësuesish të viteve 30-të, të cilët u bënë misionarë të arsimit në të gjitha trevat e rrethit.  Ju jeni e rritur në konstruktin e kësaj fryme dhe besoj se është jo rastësisht shkëlqimi i personalitetit tuaj në Komunitetitin Shqiptaro-Amerikan.  Çfarë kujtimesh pikante ju ndjekin nga vendi i prindërve tuaj?
Unë jam lindur në Tepelenë dhe prindërit banuan për pak kohë aty, pasi babain e transferuan dhe e çuan në Mezhgoran si kryetar kooperative për dy fshatrat Mezhgoran dhe Peshtan.  Ai punoi për disa vite si kryetar me ndershmëri dhe plot mirësjellje me krahinën, por më vonë e hoqën nga lart…, duke punuar në punë të rendë së bashku me nënën time në kooperativë.  Puna e rëndë e tyre, mundimi veçanërisht i nënës sime si dhe shoqeve të saj për tërë jetën në punët më skllavëruese të kooperativës është një nga dhimbjet dhe brengat e mia…  Me ndershmërine e tij dhe punën e papaguar, edhe pse veteran i Luftës, ai dhe sot është i pastrehë… Por është e çuditshme dhe pse prindërit apo gjithë fshati punonin tërë ditën, brenda shpirtit të tyre kishte vend për të gjetur kohë për të lexuar apo për të ndarë një mendim rreth kulturës.  Ata kishin dhe vazhdojnë ta mbajnë miqësinë vëllazërore me njeri-tjetrin.  Nëse do të llogaritet fshati për frymë nga popullsia në Shqipëri, mund të pohoj se është një nga fshatrat e vegjël, por që ka nxjerrë më shumë para diktatures burra të shquar për kulturën kombëtare.  Le ta fillojmë me avokatin Fehmi Bej Mezhgoranin, firmëtari i Pavarësisë, anëtar i qeverisë së Ismail Qemalit, Prefekt i Dibres, drejtor i gazetës “Zgjimi”, apo Dr.Përparim Tepelena, Prof.Sejfulla Malëshova, Beqir Sami Mezhgorani, Reshat, Sami dhe Faik Mullai, normalistëve të Mezhgoranit ku midis tyre ishte dhe një grua, si dhe 25 vatranët emrat e të cilëve gjenden në Kalendarin e motit të vitit 1912 me editor Fan S.Nolin të cilët iu bashkuan çështjes kombëtare.  Është e pamundur të jepen në një intervistë gjithë patriotët, por detyrohem t’i them sepse u rritëm me kulturën e tyre, krenarinë për atë vend të lashtë dhe plot tradita.  Mezhgorani është një ndër fshatrat e parë në Tepelenë që hapi shkollën e parë shqipe nën sundimin turk.  Të vjen keq që historianët as që janë marrë fare duke e injoruar gjithë atë punë kolosale të këtyre patriotëve, por më fyesja është se burri i ndritur i Kombit Fehmi Bej Mezhgoranit as që përmendet fare…  Ndarësve të çmimeve ju janë mykur trutë dhe janë infektuar nga korrupsioni…
            Ndërsa në lidhje me kujtimet pikante dua të them se shoqëria e shkollës fillore është nga më të paharruarat.  Jam futur qysh në moshën 5 vjeçe në klasën e parë dhe s’e harroj kurrë ditën e parë të saj, mësuesit e mrekullueshëm si Zoin apo Naimin…  Prindërit më mësonin gjithmonë të recitoja poezi përmendsh, dhe kishin bërë një si skenë provizore në shtëpi.  Kur ishja gati për recitim më hipnin mbi valixhen e madhe të gjyshit që kishte sjellë nga Amerika, ishte si tip sepete me ngjyrë të artë, por e lartë…  Kështu që kaloja provën në shtëpi para se të shkoja para aktivitetit në shkollë.  Këtë gjë e kujtoj dhe tani në Amerikë me mbesën time Dean, me të cilën improvizojmë skenën, zakonisht përdorim shkallët brenda shtepisë si podium, kur ajo është gati për të thënë ndonjë varg përmendsh…  Lojërat e ndryshme të fëmijërisë, kapja e xixëllonjave kur ishim të vegjël, qershitë e kuqe që i vendosnim si vathë në vesh, veshja e ndonjë fustani të ri në dasmat e ndryshme më ka pëlqyer shumë.  Improvizimi i lojës me litar duke u hedhur, zakonisht mblidheshin pranë portës sime, mbase ishte më e përshtatshme si pozicion.  Nga porta ime e gurtë me lojërat kam një shenjë në ballë, pasi padashje një shoqja ime më lëshoi mbi ballë majën e çengelit të portës dhe gjaku rodhi rrëke, po ku të linin plakat e mëhallës të vuaje, me mjete të traditës e ndaluan gjakun…  Babai ka qene i apasionuar pas librave dhe bletëve, dhe në krah të shtëpisë kishim disa koshere bletësh, dhe një kuti me libra rreth rritjes së tyre. Më ka pëlqyer shumë marrja e mjaltit me makinë në ditët e bukura të verës, kokorret që vinin në kokë të dy prindërit dhe tymosjen që u bënin bletëve për mos t’i pickuar dhe sigurisht kur mamaja ime i qeraste me mjaltë të gjithë fshatin kur na vizitonin në shtëpi.
            Kur mbaronte shkolla të gjithë fëmijët dhe të rriturit në pushimet e verës, për të ndihmuar prindërit shkonim për të mbledhur sherebel (dunicë), çuditërisht e fillonim me këngën e bukur labe, që pa feksur, se duhej të çoheshim herët pa dalë dielli, ndryshe nuk mblidhej… (çuarja herët ishte e rëndë si fëmijë)… Ishte punë e rëndë stropacitëse, e paguar shumë lirë, por vetëm puna të bën të ndjesh vuajtjen e tjetrit, dhe të bën mbi të gjitha njeri.  Kam parë se dhe këtu në Amerikë prindërit i mësojnë me punë, ka plot që çohen herët, por me ndryshimin se shpërblehen për atë që bëjnë…  Qysh e vogël në çdo qelizë të trupit e kam ndjerë dallimin esencial midis fshatit dhe qytetit!…Është e dhimbshme kur mendon që fshati e prodhonte grurin, ndërsa hante vetë gjashte muaj misër dhe gjashtë muaj grurë…  është e pamundur t’i shprehësh brengat, moslevizjen e lirë të fshatit, dhe dallimet në një intervistë…  Megjithatë po i pergjigjem pyetjes suaj, sepse sipas Remarkut: “Lumturia nuk gjendet asnjëherë në momentet kur ne e jetojmë, atë e bëjnë magjike vetëm kujtimet tona”.
Dhe kujtimet do i ndjejmë dhe tregojmë gjithmonë…
Kam mësuar se Mezhgorani është quajtur nga shumë njerez si një fshat me kulturë dhe historikisht është fshat Derven.  Atje ka pasur dhe një mulli me erë gjë e rrallë në Shqipëri apo jo Kozeta?
Atje ka qenë der e kurbet.  Nuk ka shtëpi në Mezhgoran që mos të ketë patur në të kaluarën emigrante, dhe më duhet tëpohoj se ata sollën kulturën perëndimore.  Shumë prej tyre emigruan në Francë, Amerikë, Greqi dhe disa prej tyre mbaruan universitetet më të njohura…  Ata që shkuan në Francë dhe Amerikë sollën nga kultura franceze mendimin më të përparuar dhe Lirinë që e mbajtën brenda shpirtit të tyre.  Mjaft prej emigrantëve të Amerikës sollën dhe libra nga Noli, Vatra, por që jua mbajtën në doganë…  Atyre dhe opinga që vishnin ju kishte lezet.  Ju ndrinte fjala në kuvend të burrave.  Ata ishin patriotë zemërzjarrtë ndaj dhe u kthyen përsëri në mëmedhe, atje pranë Malit lirik tëTrebeshinës, gjelbërimit të pafund dhe lumit Vjosa që lag këmbët e tij…  Amanetet e tyre s’do të thinjen kurrë…  Në lidhje me mullirin me erë egzitojnë gurët e mëdhenj, materialet e ndryshme, gojëdhëna por duhen studjues që ta hulumtojnë më nga afër, edhe pse mund të jetë shfafqur ndonjeri.  Ndërsa si fshat “Derven” futet Damësi, Luzati, Dragoti, çka flitet katërciperisht për kulturën dhe civilizimin e tyre.
Cili është arsimimi juaj në Shqipëri dhe aktiviteti pedagogjik e shoqëror?
Si fëmija e parë në familje kam qenë me fat që mbarova arsimin e lartë për mësuese e gjuhës dhe e letërsisë në Universitetin “Aleksasnder Xhuvani”.  Por ndërkohë pengova tre vëllezërit e tjerë, sepse përgjithësisht lejohej vetëm një në familje të shkonte në arsim të lartë… Perseri më ndoqi fati që të ushtroja profesionin e mësuesisë në gjimnazet e Tiranës, pasi ishja e martuar qysh studente dhe kishja një bebe, Valbonën.  Kështu që fëmija më krijoi kushte për të ndenjur në Tirane pranë bashkeshortit tim i cili ishte mbajtur direkt pasi mbaroi Universitetin e inxhinierisë në Institutin e projektimeve të Ushtrisë në Tiranë.  Lënda e bukur e letërsisë dhe profesioni i mësuesisë kanë qenë pasionet e mia të kahershme.  Ato më kanë bërë të komunikoj lirshëm me nxënësit dhe t’ju krijojë hapësirën e nevojshme për t’u lidhur me botën e artit gjatë orëve të mësimit.  Në pervojën time kishja kuptuar se sa më shumë e ngurtë dhe pa nerv të komentoje medoemos që ora do të ishte e akullt dhe shokuese për të rinjtë.  Në klasë harroja cdo hall që mund të kishja dhe letërsia krijonte brenda saj një miniteater me nxënësit, ku aktrimi mësues nxënës ishte në harmoni dhe mësuesi hynte në rezonancë të plotë me diskutimet e tyre pa ujëra të tepërta…ndryshe me të drejtë poeti i famshem Robert Frost thote se:
“Ka dy lloje mësuesish: nje lloj që ju mbush me shtëna dhe nxënësit trembem aq shumë sa që nuk mund të lëvizin, dhe lloji tjeter që ju stimulon dhe ju hidheni në qiell”.
            Vetë lënda e letërsisë të vë në lëvizje, të jep jetë dhe kjo arrihej me disa aktivitete të traditës si psh orët letrare, apo dhe gazetën “E ardhmja” qe krijuam gjatë demokracisë.  Spektaklet për Miss “Cajupi” ishin nga më mbresëlënëset, pasi ishim krenar se nga ky gjimnaz dolën tre misse konkuruese në Miss Shqipëria si Monika Zguro, Juela Meçani dhe Vilma Papajani (ish nxenesja ime për katër vjet në kujdestari) dhe fituan.  Kam marrë pjesë rregullisht në studiot që u organizuan rreth projektit për zhvillimin e arsimit në Shqipëri nga CDU, seminare që drejtohej nga një vajzë e re intelektuale plot energji Blerinda Idrizi.  Në jetën politike u përfshiva me Partine Demokristiane e cila u krijua menjëherë pas PD dhe PR-s gjatë përmbysjes së diktaturës, nga intelektualë të zotë si prof.Gjergj Ndoja, inxh.Franc Marku etj…U zgjodha sekretare e PDKSh-s dhe drejtoja gazetën “Ora e Shqipërisë”, për të cilën ju jam mirënjohëse demokristianeve të Shkodrës që ma besuan këtë detyrë në zgjedhjet që bëmë në atë qytet të lashtë dhe historik ne vitin 1994.  Në kryeartikullin e gazetës “Ora e Shqipërisë” kishja shkruar artikullin me titull: “Magjia e një pushteti do të jetë Bashkimi i Kombit”.
Kur ka qënë puthja juaj e parë dhe çfarë keni ndjerë në takimin e parë të buzëve të partnerit.  Natyrisht ju keni qenë në epiqendër të djemwve shumë herët mbasi keni qenë shumë e bukur.  Thonë se ju quanin Helena e Trojës për flokët e verdhë dhe sytë e kaltër. Desha të dija për puthjen e adoleshencës, më magjikja dhe natyrisht më e fshehta…  A ja tregove dikujt?
            Është pak rast unikal, por puthja ime e parë e adoleshencës ka qenë me bashkëshortin tim, me të cilin s’u ndava për tërë jetën.  Ka qenë krejt rastësi njohja me të, ndërsa unë ishja në vitin e parë në Pedagogjiken e Fierit, ai vazhdonte inxhinierinë në Tiranë nga kontigjenti i ushtrisë.  Puthjen e parë nuk ja tregova askujt, por takimet me të morën dhenë se ai vinte nga Tirana dhe më takonte fshehtas…  Kështuqë filluan thashethemet, spiunuan tek drejtoresha e shkollës e cila thirri me urgjencë prindin tim…  Sidoqoftë marrëdhëniet tona mbetën shumë serioze dhe nga më romantiket e jetës sime.
Ish drejtoresha e shkollës e ndjera Bubulina Mici (motra e Fatos Arapit) dhe ish bashkëshortja e shkrimtarit të njohur Aristotel Micit pasi u njoh zyrtarisht dhe me Qemalin, i cili kur u emërua në Institut te projektimeve si inxhinier kishte fatin të kishte në zyrën e tij një mikeshë të Bubulinës, Jolandën, e cila krijoi një respekt dhe simpati të vecantë, gjë që do të na e bënte dhe më të lehtë marrëdhenien tonë.
Lidhjen dhe letrat tona qysh në moshë të re i kishim mbajtur shumë sekret nga vajzat tona, çuditërisht për to nuk donim lidhje në moshë shumë të re…  Atyre jua kemi treguar kur ishin në moshë të pjekur dhe të lejuar “ligjërisht”.  Letrat me njeri-tjetrin sa poetike po aq dhe me nektar dashurie ngelen një arkivë e familjes sonë që të sjellin shumë humor dhe kënaqësi…  Në lidhje me epitetet Helena e Trojës, Libera, Kleopatra per brunet etj, ishin të kohës për shumë vajza, ose siç jepen dhe sot pa llogari…ku ka rrezik të dali e gjithë Shqipëria “Miss Bota”!…
Ju  patët një karierë jo të vogël së bashku me bashkëshortin.  Si i ndihmuat proceset demokratike në përmbysjen e diktaturës dhe cilat qenë arsyet që shkuat në Amerikë?
            Është e vërtetë që po ecnim relativisht mirë.  I mbështetëm me kulturë demokratike dhe sakrificë gjithë procesin e rrëzimit të diktaturës, grevën e urisë së studentëve, ku brenda grevës kishim mikun e familjes sonë prof.Mehdi Shehun, një intelektual plot kulturë dhe kundërshtar i hapur i regjimit.  Kemi qenë në gjithë demonstratat që u zhvilluan deri në rënien e bustit të diktatorit dhe të komunizmit, ditë që u nisëm nga sheshi i studentëve, ku me artopalant na drejtoi drejt sheshit aktorja e Teatrit Kombëtar Yllka Mujo.  Do të kishja dëshirë të kishim aparat fotografimi për t’i pasur si relike ujin me ngjyrë që lëshuan makinat e policisë duke filluar para TV Sh-s drejt trupave tanë.  Apo me vidio: thirrjet: policia është me ne, policia është me ne!…Kam lexuar në emër të gjithë mësuesëve të Tiranës telegramin në mbështetje të grevës së urisë së studentëve në Pallatin e Kulturës në Tiranë që drejtohej nga Ylli Vejsiu.  Për të gjitha këto bashkëshortin tim e transferuan nga Ministria e Mbrojtjes, pasi ishin me gishta demokratët që ishin shfaqur publikisht dhe e çuan si shef katedre në Akademinë Ushtarake, jo se ishte vend i keq, por ishin të deytruar si rezultat i kualifikimit që kishte pasi kishte dhënë gjithë provimet e dizertacionit dhe kishte vetëm mbrojtjen e temës.  Vendi i punës kërkonte kualifikimin pasuniversitar.  Bashkëshorti im gjithmonë ka parë studimin e mëtejshëm pasuniversitar në profesionin e tij të inxhinierisë duke ngujuar bërrylat pas pune në Bibliotekën Kombëtare si në diktaturë dhe në demokraci.
            Edhe pse bashkëshorti im në kohën e demokracisë punoi në disa institucione të larta si shef katedre në Akademinë ushtarake për lëndët inxhinierike, dhe paskësaj në Korpësin e Paqes pranë ambasadës amerikane, ndërkohë kishim dhe autoshkollën tonë private, ku kishim të punësuar inxhinierë dhe disa specilasitë për makinat, po ndjenim së ishte e pamundur jetesa, ngase vendi po shkonte drejt luftës civile…  Plasën demonstratat nga studentët në Vlorë, firmat piramidale dhe shumë gjëra të tjera që po sillnin erën e luftës… Liderët e dy  partive kryesore ishin në luftë për jetë a vdekje me njeri-tjetrin…  Ne ishim të bekuar se e kishim marrë vizën për në Amerikë qysh në Maj të vitit 1996 dhe akoma nuk e kishim vendosur, ndaj duke ndjerë erë lufte u larguam në 26 shkurt të 1997 ës, dy ditë para se të mbyllej aeroporti…  Ishte e dhimbshme, e tmerrshme të ikje, të ikje sa më parë nga bandat dhe plumbat që po merrnin jetë njerëzish…  po shkatërrohej gjithcka, po hapeshin depot…  Cili mund të ishte ai shqiptar që kishte vizën amerikane dhe nuk do të ikte, kur aty ikën diplomatët, priftërinjtë, hoxhallarët etj….  Sidoqoftë kjo ka qenë një tragjedi dhe vazhdimi i ikjes së njerëzve larg, larg… 9 male kaptuar… dhe në ditët e sotme është nje humbje e madhe për Kombin…
A i kërkuat rrënjët e të parëve tuaj si emigrantë atje dhe çfarë ndjesie provuat?
            Familja ime kishte kohë që kërkonte gjyshërit si nga nëna dhe babai në Amerikë si Hamit Veis Mexhgorani, Muhamet Veis Mexhgorani dhe Shaban Muçi nga Becishti i Tepelenës (ky i fundit është xhaxhai i nënës sime).
Gjyshi im Hamit Veis Mexh(zh)gorani, kishte ardhur në Amerikë në fillim të shekullit të kaluar, por ishte e pamundur ta gjenim, ngase nuk dispononim asnjë dokument të shkruar.
Atë ditë që unë gjeta emrin e tij, e kishja një nga ditet më të gëzueshme të jetës sime, të mbushur me emocion dhe dashuri.  E para sepse gjeta rrënjët e trungut tim, gjeta gjyshin tim aq të dashur dhe fisnik, gjeta gjurmët e tij këtu në Amerikë.
          Ai u kthye në Shqipëri me libra të Fan Nolit, ku disa prej tyre ja sekuestruan në doganë, në Shqipëri.
Që ditën që kam shkelur në Amerikë, gjyshi im më dilte më shumë se kushdo tjetër përpara sysh, në ëndërr e kudo!  Unë që javën e parë, pra në vitin e mbrapshtë të 97-s që u larguam me familjen nga Atdheu, dhe pse ishja akoma e pa ambientuar me Amerikën, doja të shkoja tek Statuja e Lirise për të gjetur në mur emrin e gjyshit tim.
Shumë përpjekje, shumë kërkime, edhe me vajzat e mia dhe babain tim shkuam disa herë së bashku, por mundimi ishte i kotë ngase mbiemrin të gjithë emigrantët e asaj kohe në përgjithësi shkruanin emrin e fshatit nga vinin.  Kështu ata shkruani përpos emrit të babait dhe Me (xh) zhgorani, që ne fakt ishte e shkruar me xh jo me zh sic e dinim nga drejtshkrimi…
            Një ndjenjë ngazëllimi më përshkoi të tërën, kur para syve në kalendarin e motit te vitit 1912 te Fan Nolit publikuar në webin e Vatrës, lexova një grup të madh nga Mezhgorani i Tepelenës, që kishin paguar për Vatrën.
Gjej rastin të falënderoj prof.Peter R Priftin, At Arthur Liolinin dhe z.Naum Priftin të cilëve iu shkruajta për gjetjen e gjyshit dhe për të gjithë emigrantët Mezhgoranas që mbështetën kauzën e Nolit.
Ja ç’me shkruajti prof.Peter R.Prifti, në përgjigjen e letrës së tij, ish sekretar dhe editori i Diellit në kohën e Nolit, si dhe një personalitet i shquar i Kombit:
…“Sikundër popujt kanë nevojë të dinë për historinë e kombit të tyre, ashtu dhe njerëzit kanë nevojë të dinë për pjesëtarët e familjeve të tyre që kanë “humbur”, qofshin ata prindër,  gjyshër, vëllezër, motra, etj.  Kanë nevojë të zbulojnë rrënjët e tyre familjare. Ti je një nga këta fatmirë, që ia arrijnë qëllimit”.
Pak e habitshme, që ju arritët së bashku me bashkëshortin dhe vajzat tuaja të ngrinit televizionin në gjuhën shqip “Alba Life” dhe dy shkolla shqipe.
Jemi habitur jo vetëm ne, por edhe komuniteti shqiptar në Amerikë…Vërtetë si mundët?
            Të jesh në Amerikë aspak nuk është e habitshme për të realizuar ëndrrat që ke, nëse ke vullnetin, pasionin, përkushtimin dhe punën pa orar dhe pa kushte për çfarë do të realizosh.  Si gjithë emigrantët e tjerë në fillim përballohesh me vështirësi të mëdha sidomos kur je pa dokumetat, por fati ynë ishte që vajzat i sollëm si “exchange student” në shkollë të mesme në Amerikë dhe po vazhdonin universitetet ndaj nuk kishim probleme të kësaj natyre, pra ishim më të lirshëm.  Ndërsa bashkëshorti kishte ardhur i përgatitur totalisht sidomos me gjuhën që dispononte, se siç e thashë më parë kishte ngujuar bërrylat në Bibliotekë për t’i mësuar, ishte koha që kur mbrohej dizertacioni, titulli shkencor, duhej medoemos të mbrohej gjuha e huaj, të jepej si provim…, edhe pse s’ishte lejuar të dilte me specializime jashtë shtetit…  Detyrohem t’i them këto pasi për ne si familje ka qenë në radhë të parë shembulli i bukur në shtëpi, pastaj pasi i ke realizuar këto bukur dhe me modesti, pse jo, përse mos të realizosh diçka përtej familjes që është medoemos Kombi dhe kultura e tij?
            Ndoshta nga profesioni i mirëfillte si mësuese e letërsisë jam gjithmonë ënderrimtare dhe besoj në realizimin e tyre për mirë (edhe pak fluturim).  Ky lloj ëndërrimi më sjell pranë nobelistin Anatole France i cili thotë: Për të arritur gjëra të mëdha, nuk duhet vetëm të veprosh, por edhe të ëndërrosh, jo vetëm të bësh plane, por edhe të besosh”.
E kam pasur ëndërr të bukur artin, poezinë, TV-n, dhe pse një copëz e këtyre më ishte realizuar në Shqipëri nga vajza e vogël Klodiana atëhere adoleshente, e cila ishte drejtuese e emisionit për femijë tek “Pafi” në TVSH, në Tiranë.  Duke pasur një përvojë disa vjeçare si bashkëpunëtore e TV Kultura Shqiptare me producent Adem Belliun, që më duhet ta falënderoj publikisht, ndërsa Qemali mbaroi për programim kompjuteri në një kolegj në Amerikë, ne ishim të gatshëm për shumë gjëra teknikisht dhe profesionalisht dhe vendosëm të hapnim TV “Alba Life”.  Pasi u treinuam për më shumë se një vit nga TV amerikan në Staten Island, New York dhe u licensuam ligjërisht, filluam transmetimin e emisioneve.  Të gjitha këto i kemi kryer pas punëve tona të rregullta që mbajmë familjen.  Emisioni i parë ishte për Shkollat Shqipe, shkolla që u hapën ligjërisht me leje nga Bordi i edukimit të Nju Jorkut.  Ndërkohe jepnim mësim në shkollen shqipe dhe po punonin shume rëndë për të sjellë fëmijë dhe për t’i mësuar ata.  Duhet të kuptojmë se nxënësit janë të lindur këtu dhe kanë shumë vështirësi në të folurën shqip…Por bashkëpunimi plot kulturë me mësueset që kanë qenë bashkë me ne në çdo kohë e ka bërë dhe më të lehtë punën…  Gjithashtu dhe bashkëpunimi me Z.Amir Suka që është drejtori i programit në TV, ka bërë që në të ndihemi krenarë dhe të realizojmë punë të bukura, pra vetëm bashkëpunimi dhe vetëm ai sjellë gjithmonë sukses.  Pastaj kur shikuam që eci puna, vazhduam më tej me hapjen e shkollës tjeter në Brooklyn dhe emisionet u shfaqen me orë më të zgjatura dhe me ditë më shumë, ndërkohë tani jepen dhe në paketën digitale TV Alb që shikohet në të gjithë globin.
Cilët janë disa nga personalitetet e shquara që keni intervistuar?
Kam pasur fatin të bashkëpunojë qysh në fillim me gazetën e mirënjohur “Illyria”, “Dielli”, TV Kultura shqiptare, më vonë me TV Alba Life dhe kam intervistuar shumë personalitete, ata janë shumë, por unë po përmend disa prej tyre:
Regjisori i Hollivudit Stan Dragoti, Prof.Peter R Prifti, At Artur Liolin, prof.Sami Repishti, Dr.Elez Biberaj, Prof.Shenasi Rama, Joe Dio Guardi, avokati Sabri Gjoni, Fadil Berisha, Tony Dovolani, Ermira Cunmulaj, Amir Suka, Dritan Mishto, Ruben Avxhiu, Eduard Dilo, Viktor Martini, Lek Pervezi, Grid Rroji, Sali Berisha, Arta Dade, Teuta Arifi, Ibrahim Kolari, Avokati Steven Kaufman, Dr.Gjon Bucaj, dr.Gani Abazi, Pëllumb Kulla, Naum Prifti, Novruz Shehu, Fatos Kongoli, Gjeke Marinaj, Ramiz Gjini, Adnan Mehmeti, Dalan Luzaj, Skifter Këllici, Pirro Loli, Petrit Ruka, Demir Gjergji, Hajro Ceka, Aurela Gace, Entela Barci, Bledar Maqellara, Diana Zerega, Richard Lukaj, Gani Perrolli, Blerim Cami, Petrit Lumaj, Mark Gjonaj, Ken Biberaj, Emin Egriu, Edmond Xhani, Petrika Melo, Lindita Tole Mezini, Ylli Baka, Sokol Asllani, Taulant Hoxha, Sali Bollati, Kadrije Pronjo, Ibrahim Kolari, John Hodgson, Peter Lumaj, Kleriket Dom Pjeter Popaj dhe Edin Gjoni, Joshua Martson, Andamiano Murataj, Dhimitri Ismaili Valona, Roland Uruci, Herion Mustafaraj etj,…
Cili është vlerësimi që është bërë për për televizionin, shkollat shqipe që ju drejtoni, nga shteti amerikan dhe shqiptarët?
            Si Bord i TV Alba Life sapo festuam 5 vjetorin e tij.  Në këtë 5 vjetor morën pjesë shumë personalitete të shquara të politikës, artit dhe kulturës, organizata të mirënjohura, Konsulli i Përgjithshëm z.Dritan Mishto dhe qindra njerëz të thjeshtë që i shikojnë rregullisht emisionet në TV.  Gjithashtu dhe bashkëpunimi me median si gazeta e mirënjohur “Illyria”, Kultura Shqiptare, TV Alb apo Shqiptarë të Amerikës, e kanë bërë dhe më të lehtë përhapjen e kulturës dhe lobimin e çëshjtes kombëtare.  Pjesëmarrja e gjerë e tyre është vlerësim për punën e Bordit të TV Alba Life, ndërkohë kemi marrë një sërë çmimesh nga organizata të ndryshme të Diasporës.  Në këtë 5 vjetor nëpërmjet një video mesazhi përshëndeti dhe Kryetari i Bashkisësë Nju Jorkut, bilionieri Michaele Bloomberg, një personalitet i shquar botëror i cili falënderoi për punën që po bënë TV Alba Life në Amerikë.
Ju keni botuar disa vëllime me poezi.  Ku e keni marrë frymëzimin dhe a është poezia për ju një domosdoshmëri apo një pasion i çastit që duhet të hidhet në shkronja?
Kam botuar katër vellime me poezi dhe një libër me esse dhe kritikë letrare të botuar më parë në gazeta të ndryshme ndërkohë kam në proces për botim dhe dy libra të tjerë…  Por dua të them se poezia është dashuria ime më e shtrenjtë, pas saj vijne essetë, dhe sigurisht që vlerësimin rreth poezisë e bën lexuesi dhe kritika e mirëfilltë (nëse ka të tillë).  Ndërkohë kujtoj mendimin e shkrimtarit të mirënjohur Naum Prifti, i cili në promovimin e librit tim “Monumenti i Lotit” që u organizua nga katedra e kolegjit në Manhattan ku ishja e punësuar tha se në fund nuk i dihet se cili libër del më i miri?  Pra librat dhe shkrimtarët i vlerëson koha, ajo është gjykatësi më i mirë…  Duke qenë qysh fëmijë e parritur ende dhe të shijosh aromën e luleve të mbjella dhe natyrore si trëndelina, çaji i malit, lulet e pemëve të shumëllojta, bletët nëpër lule, sherebelit nga mëngjesi deri në muzg, të zgjohesh herët nga zëri i bilbilave, kori i këndezëve apo shushurrima e gjetheve dhe e përroit të Mezhgoranit që derdhej në lumin Vjosa medoemos që dicka ka qenë magjepsëse për të ngacmuar fantazinë së bashku me realen…  Larja e vajzave në lumin “Vjosa” ishte civilizim, ato dukeshin si lauresha të bukura mes maleve të Golikut dhe Trebeshinës dhe ujit që herë kishte ngjyrë blu herë ngjyre jeshile, gati si shumica e syve të tyre.  Nata e mëndafshtë nën Hënën e bukur, midis malit lirik të Trebeshinës dhe Shëndëllisë, ku mund të gjendej dhe gjilpëra në kashtë sipas fjalës popullore, apo rënia e lehtë e borës nën ndriçimin e magjishëm të rrezeve të saj kanë qenë mahnitëse në shpirtin tim.  Mrekullia e natyrës ka frymëzuar qindra shkrimtarë dhe në këtë rast le të kujtojmë Pablo Nerudën i cili thotë se: “Unë jam rritur në këtë qytet, poezia ime ka lindur në mes të kodrës dhe lumit, ajo mori zërin e saj nga shiu, dhe si lëndë drusore, ajo kalonte veten në pyje”.   
Këngët e mrekullueshme dhe të ëmbla lirike apo dhe burrërore kur këndoheshin në dasma, hipja në kalin më të bukur të nuses dhe e dhënderit si dhe krushqit që i shoqëronin kanë ngacmuar fuqishëm muzën time poetike të cilat sot i gjen vetëm ndër libra.  Edhe këngët e vajit, vajtocat që të rrënqethnin me fjalët e tyre që të kujtonin medoemos këngët e Iliadës si psh. tek Odiseja kënga XXIV kanë lënë gjurmë të pashlyeshme brenda konshiencës sime./Gazeta Nacional



Viewing all articles
Browse latest Browse all 75


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>